
Një 32-vjeçar ka humbur jetën mbrëmjen e djeshme në fshatin Kryekuq të Divjakës, pasi u godit me thikë brenda një lokali. Viktima është identifikuar si Besmir Kumria, ndërsa autori i dyshuar, Xhesion Toromeni, 25 vjeç, është arrestuar pas disa orësh ndjekjeje nga policia.
Sipas raportimeve zyrtare, Toromeni mbërriti me makinë pranë lokalit ku ndodhej Kumria në shoqërinë e miqve të tij. Ai hyri brenda me thikë në dorë dhe e goditi disa herë, duke e lënë të plagosur rëndë. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë, 32-vjeçari ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.
I riu autori u largua menjëherë pas krimit, por u lokalizua dhe u prangos nga forcat operacionale të DVP Fier gjatë kësaj të marte. Ai do të përballet me akuzat për “vrasje me paramendim” dhe “mbajtje pa leje të armës së ftohtë”.
Hetimet paraprake tregojnë se shkak për ngjarjen janë bërë konfliktet e vazhdueshme mes familjeve të tyre lidhur me përdorimin e një kanali vaditës në fshat.
Nën drejtimin e Prokurorisë ka nisur puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së rëndë që tronditi komunitetin lokal të Kryekuqit. /korrieri