
Tendera të dyshimtë dhe skualifikime të çuditshme kanë shoqëruar sërish Drejtorinë e Përgjithshme të Postës Shqiptare. Institucioni që drejtohet nga Ardit Demiri ka shpallur fituese të tenderit të internetit kompaninë Abissnet, në pronësi të ish-deputetit Koço Kokëdhima, duke i akorduar një kontratë katërvjeçare me vlerë rreth 950 mijë euro (93 milionë lekë).
Në garë morën pjesë pesë kompani: One Albania, Albanian Fiber, MC Networking, Vodafone Albania dhe Abissnet. Dokumentet zyrtare të siguruara nga Gazeta Korrieri tregojnë se dy firmat që ofruan çmimet më të ulëta, “One Albania” me 71.9 milionë lekë dhe “MC Networking” me 83 milionë lekë, u skualifikuan, duke ia hapur rrugën fitores së Abissnet, e cila kishte ofertë më të lartë se ato.
Posta Shqiptare justifikon skualifikimin e One Albania me mospërmbushjen e kritereve të sigurisë kundër sulmeve kibernetike (DDoS), ndërsa MC Networking u përjashtua pasi, sipas institucionit, nuk ishte e licencuar për rrjete nëntokësore. Edhe Vodafone dhe Albanian Fiber, të cilat ofruan më shumë se fituesi, u eliminuan nga gara.
Tenderi kishte një fond limit prej 119,990,720 lekë (pa TVSH), ndërsa përzgjedhja e fituesit me ofertë jo më të ulët ka ngritur dyshime serioze për paracaktim të rezultatit, sidomos duke pasur parasysh lidhjet politike të përfituesit. Burime të brendshme thonë se ky është vetëm një nga një sërë tenderësh të kontestuar të Postës, ku më herët janë larguar nga detyra disa ish-drejtorë nën akuza për shpërdorim detyre dhe favorizime.
Skualifikimi i 4 nga 5 operatorëve pjesëmarrës andej dhe kontrata ndaj një subjekti politikisht të ekspozuar nxit pikëpyetje të forta: A është Posta në funksion të shërbimit publik, apo të interesave private me prapaskenë politike? /korrieri