
Banorët e fshatit Arapaj në Roskovec janë shprehur të habitur dhe të tronditur nga lajmi për arrestimin e 55-vjeçarit Çlirim Dogani, i akuzuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Anesti Ramës, një krim i kryer në bashkëpunim me vajzën e viktimës, 26-vjeçaren Emalinda Rama.
Në prononcime për Report Tv, të afërm dhe fqinj të Doganit thonë se ai është prej vitesh i martuar, baba i dy fëmijëve, dhe punon si shofer autobusi në linjën Fier–fshatrat përreth. Ata e përshkruajnë si një njeri të qetë, të ndershëm dhe pa probleme.
“Çlirimin e njoh shumë mirë, është shumë djalë i mirë. Familjar, ka dy fëmijë, vajzën të martuar, djalin jo. Merret me bujqësi. Nuk ma merr mendja kurrë që të bëjë këtë gjë,” tha Manushe Dogani, kushërira e të arrestuarit.
I njëjti qëndrim u mbajt edhe nga banori Fatmir Çalamani: “Është djalë i pastër, punëtor, familje e mirë. Asnjëherë s’ka qenë problematik. Shofer autobusi i rregullt, nuk e besoj që të përfshihet në diçka të tillë.”
Por, sipas hetimeve të policisë së Fierit, dyshohet se Çlirim Dogani kishte një lidhje intime me Emalinda Ramën dhe së bashku kanë kryer aktin e rëndë të mbytjes me tel të 56-vjeçarit Anesti Rama, duke përdorur gjithashtu edhe sende të forta dhe mjete prerëse.
Arrestimi i tij është kryer sot, ndërkohë që edhe Emalinda Rama dhe nëna e saj ndodhen në pranga për përfshirje në krim dhe në fshehjen e gjurmëve. Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe hetimet vijojnë./korrieri