
SPAK/ Zbërthehet grupi Hawala , roli i Enver dhe Ervis Ferizaj , del në skenë edhe AK INVEST sh.a: Si funksiononte skema
Një rrjet i strukturuar kriminal me bazë në Zvicër dhe Shqipëri është goditur nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet zvicerane, duke zbuluar një skemë të sofistikuar pastrimi parash përmes sistemit informal “Hawala”.
Në qendër të këtij rrjeti qëndron familja Ferizaj, me lidhje të forta në biznesin vendas dhe me rrjet bashkëpunëtorësh në Zvicër.

Sipas hetimeve të SPAK, organizata drejtohej nga Ervis Ferizaj, i biri i biznesmenit të njohur nga Kosova, Enver Ferizaj.
Pjesë e këtij rrjeti ishin edhe Burim Ferizaj, si dhe bashkëpunëtori kryesor Përparim Kalbaj, i cili operonte përmes një pike këmbimi valutor në rrugën e Durrësit në Tiranë dhe kishte të regjistruar kompaninë “Kalbaj shpk”, në emër të bashkëshortes së tij Arijana Kalbaj.
Mes të tjerash, kjo kompani ka deklaruar në dokumentet e dorëzuara në QKB se bën edhe transferimin e shumave monetare në emër dhe për llogari të AK INVEST sh.a. Nuk ka të dhëna që kompania në fjalë është pjesë e skemës në fjalë, pavarësisht deklarimeve të Kalbaj shpk.
Si funksiononte skema?
Personat që dëshironin të sillnin para në Shqipëri (kryesisht nga aktiviteti kriminal me drogë në Zvicër), i dorëzonin ato te bashkëpunëtorët e grupit në Zvicër. Pasi kryhej depozitimi, ata njoftonin për shumën dhe emrin e marrësit në Shqipëri. Më pas, sipas SPAK, Ervis Ferizaj dhe bashkëpunëtorët e tij dorëzonin të njëjtën shumë tek marrësi në Tiranë, pa lëvizur fizikisht para nga jashtë dhe pa lënë gjurmë në sistemin bankar. Për çdo transfertë, grupi përfitonte 6% të shumës së parave, të cilat ndaheshin mes palëve në Shqipëri dhe Zvicër.
Për të mbuluar origjinën e paligjshme të fondeve, paratë kanalizoheshin përmes bizneseve të regjistruara në Shqipëri, përfshirë bare, restorante, pika këmbimi valutor dhe agjenci turistike. Hetimet e SPAK kanë dokumentuar qindra raste transferimesh dhe miliona euro të përfituara në mënyrë të paligjshme.
Çfarë është Hawala?
Hawala është një sistem alternativ për transferimin e parave, i përdorur kryesisht në Azi, Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Nuk ka lëvizje fizike të parave dhe as regjistrim zyrtar të transaksioneve. Në vend të kësaj, paratë kalojnë përmes një rrjeti “hawaladarësh”, agjentë që mundësojnë dërgimin dhe marrjen e shumave me marrëveshje të bazuar në besim.
Për shembull, një person në Kanada i jep një shumë hawaladarit të tij, i cili më pas njofton një tjetër hawaladar në Pakistan që t’ia japë shumën marrësit. Marrësi i tërheq paratë menjëherë, ndërsa dy agjentët e rregullojnë borxhin mes tyre më vonë.
Pse përdoret ky sistem?
- Shpejtësi – Transaksionet ndodhin në kohë reale.
- Kosto të ulëta – Komisionet janë më të vogla se në bankat tradicionale.
- Diskrecion – Nuk kërkohet identitet apo dokumente.
- Akses universal – E përdorur nga komunitete pa akses bankar.
Pikërisht këto karakteristika e bëjnë “Hawala”-n një mjet ideal për krimin e organizuar dhe pastrimin e parave, sepse është jashtë radarit të institucioneve financiare dhe shumë i vështirë për t’u gjurmuar.
Aktivitet paralel me trafik droge
Hetimet kanë provuar se përveç pastrimit të parave, anëtarët e grupit Ferizaj ishin të përfshirë në tregtimin e lëndëve narkotike në kantone të ndryshme në Zvicër, duke përdorur shpërndarës lokalë dhe rrjete të organizuara për furnizim.
Gjykata e Posaçme ka caktuar masën “arrest me burg” për Ervis Ferizajn (E.F), Burim Ferizajn (B.F) dhe Përparim Kalbajn (P.K), për vepra të rënda penale që përfshijnë prodhim dhe shitje droge, pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. E.F aktualisht ndodhet i arrestuar në Zvicër, ndërsa dy të tjerët janë ndaluar në Shqipëri.
Hetimet janë ende në vijim dhe mund të përfshijnë edhe persona të tjerë apo vepra penale shtesë, ndërsa vlera e saktë e parave të transferuara po llogaritet./korrieri