
Kryebashkiaku i pezulluar i Tiranës, Erion Veliaj, del sot përpara Gjykatës së Lartë, ku do të shqyrtohet kërkesa e tij për të lënë paraburgimin. Trupa gjykuese do të vendosë nëse Veliaj do të vijojë të qëndrojë në burg apo do të lejohet të hetohet në një masë më të butë sigurie, si arrest në shtëpi.
Seanca do të zhvillohet me trupën gjykuese të përbërë nga Medi Bici dhe Sokol Binaj, ndërsa relatore e çështjes është gjyqtarja Albana Boksi. Ata do të peshojnë argumentet e mbrojtjes së Veliajt përballë kërkesës së SPAK që ai të mbahet në burg deri në përfundim të hetimeve.
Veliaj u arrestua më 10 shkurt, pas një kallëzimi të dorëzuar nga një profil anonim me emrin Nesti Angoni. Ai akuzohet për korrupsion dhe përfitime të paligjshme përmes disa organizatave joqeveritare të lidhura me të dhe bashkëshorten e tij.
Deri më tani, të gjithë të arrestuarit në kuadër të hetimeve të SPAK kanë kërkuar lirimin me kusht, por vetëm Jamarbër Malltezi ka përfituar një masë më të butë. Ai u lirua nga qelia dhe aktualisht është nën masën e detyrimit për të qëndruar në banesë, me mundësi daljeje në këmbim të garancisë pasurore.
Rasti i Veliajt mbetet më i ndjeshëm politikisht, pasi hetimet ende janë në vazhdim, dhe një vendim për të vijuar paraburgimin mund të hapë rrugën për largimin e tij nga detyra. Disa ditë më parë, kryeministri Edi Rama në një mbledhje me deputetë dhe drejtues lokalë të PS në Tiranë nuk përjashtoi mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në kryeqytet.
“Nuk i dihet si do të shkojë kjo punë,” është shprehur Rama, duke lënë të hapur skenarin për një garë të re elektorale në Bashkinë e Tiranës, në varësi të vendimit që do të japë sot Gjykata e Lartë.