
Asnjë surprizë. Prona të lakmuara shtetërore, të pozicionuara në vijën bregdetare më të shtrenjtë të vendit, po përfundojnë në duart e atyre që janë afër pushtetit. Në disa raste, afërsia me qeverinë nuk matet më me lidhje ekonomike, por me qoka elektorale, lëvizje partiake, apo favore të heshtura që finalizohen me akte formalisht “konkurruese”, por realisht të paracaktuara.
Një prej rasteve më të spikatura është ai i rezidencës qeveritare te Uji i Ftohtë në Vlorë, një pasuri strategjike shtetërore, që kaloi në duart e një grupi të lidhur drejtpërdrejt me Behgjet Pacollin, oligark nga Kosova me interesa të shumta në ndërtim dhe infrastrukturë. Konkursi për rikonstruksionin dhe transformimin e kësaj prone në një hotel luksoz u mbajt më 4 qershor dhe – ashtu siç paralajmëroi më herët VoxNews, rezultati ishte thjesht formalitet. Fituesi dihej prej kohësh.
Projekti i studios “Practica”, pjesë e konsorciumit fitues ku ndodhet kompania 2A Group e Valon Ademit, bashkëpunëtor i Pacollit në projekte të mëparshme si Aeroporti i Vlorës, parashikon ndërtesa 8–10 katëshe me pishina dhe infrastrukturë hoteliere.
Pavarësisht deklaratave se gjurma e ndërtimit do të jetë e “vogël”, ndërtimi i një strukture të tillë në një pronë publike strategjike është gjithçka tjetër përveç simbolik.
Pas këtij zhvillimi qëndron një histori e qartë klientelizmi. Valon Ademi, përveçse bashkëpunëtor i Pacollit, ka mbajtur postin e Konsullit të Nderit të Shqipërisë në Kosovë, një pozicion që shpesh ka shërbyer si urë për interesa ekonomike e jo për diplomaci. Kompania e tij, e lidhur ngushtë me grupin Mabetex, është shfaqur si “konkurrent” në një tender ku rivaliteti nuk kishte vend. Sipas burimeve, të katër kompanitë e kualifikuara – përfshirë emra si Kollozi, Xhillari dhe vëllezërit Dulaku, nuk konkurruan realisht, por koordinuan.
Në të njëjtën ditë, më 4 qershor, u shpall edhe fituesi i konkursit për rezidencën qeveritare në Velipojë.
Asnjë surprizë as këtu: fituese doli kompania “Xhenis” shpk, në pronësi të Belma Çelës, bashkëshortes së ish-deputetit Agron Çela – ish-kandidat i LSI-së, sot në PS. Vajza e Çelës garoi në listën fituese të socialistëve në Shkodër më 11 maj.
Rezidenca në Velipojë, e ndodhur në një zonë bregdetare me potencial të lartë turistik, do të shndërrohet në një hotel butik me 30 dhoma. Sipas projektit të studios fituese “Saunders Architecture”, kati i parë do të ketë funksion publik, por menaxhimi mbetet në duart e privatit. Skenari është identik me atë në Vlorë: vila shtetërore transformohet në strukturë turistike ku një pjesë ruhet për “protokollin shtetëror” dhe pjesa tjetër u shërben interesave privatë.
Më herët, mediat denoncuan përplasjen mes disa emrave me peshë për të përfituar vilat qeveritare në Vlorë. Dokumentet zyrtare tregonin për një “konkurrencë” të kontrolluar mes katër emrave të lidhur me pushtetin dhe biznesin e madh, ndërsa firma e Luan Bregasit – e vetmja që nuk u kualifikua – duket se nuk kishte “garancitë” politike për të hyrë në këtë lojë të mbyllur.
Në thelb, po përballemi me një model të konsoliduar të privatizimit të pasurive publike në emër të investimit, ku tenderët janë vetëm mbulesë për dhënien me dorë të pasurive strategjike. Behgjet Pacolli del si një nga përfituesit më të mëdhenj të kësaj filozofie të re qeverisëse – jo vetëm me aeroportin e Vlorës, por tashmë edhe me një pjesë ekskluzive të vijës bregdetare të këtij qyteti.
Në mungesë të transparencës dhe garës reale, e vetmja gjë që mbetet për publikun janë pamjet e projekteve 3D dhe deklaratat optimiste për turizmin. Por pas kulisave, pronat publike po kalojnë në duart e pak personave, ndërsa publiku humbet aksesin dhe kontrollin mbi asetet që dikur i përkisnin të gjithëve./korrieri