
Kryeministri Edi Rama, ka prezantuar pasditen e sotme kandidatët për deputetë në Tiranë. Ndryshe nga fushatat e mëparshme të qarkut të Tiranës ku protagonist kryesor ishte Erion Veliaj, kryebashkiaku që shkoi në qeli edhe me titullin si drejtues politik i PS, as nuk u përmend në takimin e sotëm duke vulosur kështu fundin e fatit të tij politik.
Edhe pse një pjesë të eksponentëve të vjetër i ka ndryshuar për shkak të problemeve me drejtësinë, Rama u shpreh se Partia Sociliste ka ndërtuar një parti të re por që ka të gjithë eksperiencën e këtyre viteve qeverisëse.
Më tej ai u shpreh se PS është e vetëdijshme se ka ende probleme jo të vogla, plagë për të mbyllur e punë për të bërë. Ndonëse me probleme jo pak të vogla, kryeministri sërish thotë se “hedhja e votës kudo tjetër përvecse në kutinë e PS, është të çosh votën kot”.
Kreu i qeverisë bëri edhe një krahasim disi të çuditshëm duke thënë se PS sot është si PD e vitit 1992, që sipas tij e votuan nga halli jo se ishin më të mirët.
“Do shkojnë tek numri 5 sepse duan apo nuk duan është PS sot në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, sic ishte PD në 1992. Nuk është se të gjithë ata që e votuan masivisht e donin, por shumë nga ata që e votuan e votuan sepse i dhanë prioritet zgjedhjes kombëtare të gjeopolitikës” – u shpreh Rama./korrieri