
20 milion euro para me fajde? Nadir Causholli pas sulmit te CFO Pharma: Mos vrisni….
Një ditë pas sulmit me armë ndaj kompanisë CFO Pharma, Nadir Causholli ka reaguar me një postim në Facebook, ku thekson se policia po vazhdon hetimet për identifikimin e autorëve. Ai gjithashtu ka kritikuar ashpër disa media për mënyrën e raportimit të ngjarjes.
Causholli e ka kundërshtuar pretendimin se sulmi ndaj CFO Pharma lidhet me borxhe të marra dhe të pashlyera. Ai i është shprehur: “Mos i vrisni njerëzit për së dyti”, duke mohuar lajmet se sulmi kishte të bënte me 20 milion euro fajde të marra nga ai.
Një ditë më parë, disa media raportuan se Causholli kishte marrë 13 milion euro fajde nga Ervis Martinaj, borxh i pashlyer pas zhdukjes së tij, dhe 7 milion euro nga Emiljano Shullazi. Ai ka mohuar këto pretendime dhe ka akuzuar disa portale për shpifje dhe përhapje lajmesh të pavërteta.
Në reagimin e tij, Causholli thekson se, përveç sulmit fizik ndaj kompanisë së tij, ai po përjeton edhe një “sulm mediatik” nga portale të cilat ai i akuzon se po përhapin dezinformata për shikueshmëri dhe interesa financiare.

“Policia po punon gjithashtu dhe unë bashkë me ta. Nuk mjaftojnë plumbat fizikë që u zbrazën te kompania ime, por duhet të shoh dhe të dëgjoj çdo vjellje vreri nga disa media online, si Joq, Boldnews, Zëri i Sajmirit, dhe disa të tjera,” shkruan ai.
Ai i akuzon mediat për keqinformim duke shpikur lajme mbi ortakë imagjinarë dhe lidhje me fajdet. “Më vjen keq çfarë realiteti jetojmë. Duan të bëjnë mashtrimin lajm vetëm që të ndiqen,” shprehet ai.
Causholli gjithashtu e ka krahasuar situatën me shpifjet që mund të prekin këdo, duke e ilustrar me një shembull hipotetik mbi thashetheme të rreme në media. Ai ka shprehur shqetësim mbi rritjen e portalizimit të informacionit dhe ndikimin e mediave që, sipas tij, kërkojnë para për të mos publikuar ose hequr lajme të pavërteta.
“Realiteti që unë arrij të lexoj është shumë i çuditshëm, pasi di shumë gjëra që njerëzit e thjeshtë nuk i kuptojnë dhe nuk i besojnë. Gjoba nga kriminelët, por edhe nga disa media online, janë bërë pjesë e realitetit tonë.”
Ai gjithashtu thekson se të qenit biznesmen në Shqipëri vjen me kosto të larta presioni nga media dhe grupet kriminale.
Duke e përfunduar reagimin e tij, Causholli thotë se nuk ka frikë nga sulmet fizike që mund të vijnë ndaj tij, por nga pasojat e shpifjeve dhe lajmeve të pavërteta në media.
“Realisht nuk kam frikë nga plumbat realë, por nga këto llafe të shëmtuara dhe nga mënyra se si bëhet lajm. Para se të gjykoni, shikoni veten tuaj në pasqyrë dhe pyesni veten nëse jeni aq të pastër për të akuzuar të tjerët.” /korrieri