
Është vetëdorëzuar në policinë greke Nardi Idrizi alias Fatbardh Idrizi, 39-vjeçari nga Vlora i shumëkërkuar për plagosjen e 3 personave në 16 dhjetor 2023 në lagjen Gazi të Athinës.
Sipas mediave greke, në fillim është paraqitur në komisariat avokati i tij dhe më pas i shumëkërkuari shqiptar.
Ai ka deklaruar se pas ngjarjes ishte arratisur në Shqipëri dhe tashmë kishte vendosur të vetëdorëzohej.
Të plagosurit ishin dy vëllezër nga Kreta që së bashku me një shokun e tyre kishin shkuar për disa orë në Athinë për të festuar festën e beqarisë së njërit prej tyre. Teksa po ecnin në rrugë, ata debatuan me pasagjerët e një fuoristrade. Pak metra më poshtë mjeti ndaloi dhe prej tij zbriti shoferi bashkë me një pasagjer. Më pas pati një përleshje dhe një nga personat që ndodhej në fuoristradë hapi zjarr me armë duke plagosur në kokë tre të rinjtë.
Pas ngjarjes policia shpalli në kërkim Nardi Idrizin të konsideruar si autorin kryesor ndërsa arrestoi shokun e tij Emiljano Jakupi, 35 vjeç. Ky i fundit ishte i shpallur në kërkim edhe si pjesëmarrës në vrasjen e 40-vjeçarit nga Delvina, Pëllumb Islami, në 21 shkurt 2023 në “Nea Ionia” të Athinës. Jakupi kishte precedentë penalë për drogë, vjedhje makinash dhe vjedhje banesash.
Nardi Idrizi, 39 vjeç, lindur në Durrës dhe banues në Vlorë, njihet edhe si Fatbardh Idrizi. Vëllai i tij, Leonard Idrizi ka qenë pjesë e bandës se “Çoles” në Vlorë dhe është vrarë. Pas vdekjes, ky ka marre emrin e të vëllait./korrieri