
Ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, është ekstraduar nga Spanja drejt Shqipërisë pas një operacioni të koordinuar mes autoriteteve të të dy vendeve. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për disa vepra të rënda penale, mes të cilave vrasja e kundërshtarit të tij Klodian Saliu.
Berisha u arrestua disa muaj më parë në Spanjë, ku besohet se jetonte nën një identitet të rremë me mbështetjen e grupeve të fuqishme kriminale. Pas procedurave ligjore, autoritetet spanjolle vendosën ekstradimin e tij, duke e sjellë përballë drejtësisë shqiptare për krimet e kryera vite më parë.
Lulzim Berisha konsiderohet një nga figurat më të njohura të botës së krimit në Shqipëri, si drejtues i bandës së Durrësit, një grup i fuqishëm kriminal që operonte në trafik droge, vrasje me pagesë dhe aktivitete të tjera të paligjshme. Banda ishte aktive kryesisht gjatë viteve ‘90 dhe 2000, duke shtrirë ndikimin e saj në ekonomi dhe politikë.
Në vitin 2012, ai u dënua me 25 vite burg për krime të rënda, por u lirua në mënyrë të dyshimtë në vitin 2016 pas një vendimi gjyqësor që ngriti dyshime për ndikim politik dhe korrupsion në sistemin e drejtësisë.
Pas lirimit, Berisha nisi të investonte në aktivitete të ligjshme, duke krijuar një rrjet biznesesh në sektorin e ndërtimit, transportit dhe gastronomisë, kryesisht në Durrës.
Sipas të dhënave nga institucionet financiare, një pjesë e madhe e bizneseve të drejtuara nga familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij kanë përfituar kontrata të dyshimta për projekte publike dhe investime në pasuri të paluajtshme. Një nga sektorët ku ai ka pasur ndikim është transporti, ku dyshohet se ka kontrolluar terminalet kryesore të Durrësit përmes kompanive të lidhura.
Dyshimet e hetuesve janë se një pjesë e madhe e pasurisë së tij është siguruar nga aktivitetet kriminale dhe më pas është pastruar përmes investimeve në prona dhe kompani të ligjshme.
Pas mbërritjes në Shqipëri, Berisha do të dalë para gjykatës së posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku pritet të përballet me akuzat për vrasje dhe aktivitete të tjera kriminale.
Hetimet pritet të shtrihen edhe mbi pasuritë e tij, ndërsa SPAK ka bërë të ditur se do të hetojë burimin e financimeve dhe lidhjet e mundshme me zyrtarë shtetërorë.
A do të arrijë drejtësia të vendosë një precedent këtë herë, apo do të përsëritet historia e lirimeve të dyshimta? Kjo mbetet një provë e rëndësishme për institucionet ligjzbatuese në Shqipëri dhe luftën kundër krimit të organizuar. /korrieri