
Në rubrikën “Sy m’Sy” të datës së sotme, Kryeministri Edi Rama komentoi udhëtimet e tij zyrtare dhe fluturimet private, duke theksuar se ai i konsideron udhëtimet e tij si pjesë të punës dhe jo si udhëtime për argëtim. Rama theksoi se nëse do të kishte mundësi, ai do të minimizonte udhëtimet, pasi ato janë të lidhura me angazhime pune dhe shpesh janë të domosdoshme për shkurtimin e kohës dhe shpenzimeve.
Për sa i përket fluturimeve të tij private me familjen, ai e theksoi se ato gjithmonë janë realizuar në klasën ekonomike, si çdo qytetar tjetër. Po ashtu, ai e mbrojti përdorimin e avionit zyrtar për udhëtime pune, duke thënë se marrëveshja për këtë avion nuk ka sjellë shpenzime të tepërta për shtetin dhe ka qenë në përputhje me buxhetin e përdorur nga kryeministrat e mëparshëm.
Rama: Udhëtimet, po të betohem nëse do kisha mundësi t’i këpusja me thikë dhe t’i minimizoja, do t’i minimizoja me qejfin më të madh, se janë udhëtime pune, nuk janë udhëtime qejfi. Më vjen zor dhe habitem, çfarë fluturimi luksi? Të gjitha fluturimet e mia private, me familjen, edhe sot që flasim, edhe gjatë gjithë kohës, i bëj vetëm në economics si të gjithë të tjerët, të gjitha. Fluturimet e punës, me avionin që pata mundësi të kem, janë fluturime pune, janë shkurtim kohe, shkurtim shpenzimesh. Me marrëveshjen që kemi për atë avion, nuk shpenzojmë asnjë lekë më shumë për shtetin, sesa çfarë është shpenuar në mesatare çdo vit nga kryeministrat. Deri kur nuk ishte avioni, rregulli në qeverinë time, ka qenë dhe mbetet, anëtarët e qeverisë, përfshirë edhe mua nuk udhëtojnë në biznes, përjashtuar udhëtimet në SHBA, që janë të gjata dhe është normale. Për çfarë flisni? Kë dëgjoni? Si mund të merreni me këto muhabete pa lidhje? Kur vjen puna te jeta e secilit, të jemi shumë të kujdesshëm./korrieri