
Pas paralajmërimit të Edi Ramës se burrat deputetë të grupit parlamentar të PS nuk do të jenë në listën e sigurt (përveç atyre që janë drejtues politikë), zemërimi i disa figurave të vjetra socialiste ka nisur të shfaqet, edhe pse jo hapur. Jashtë kësaj liste ka mbetur Erion Braçe, deputeti i njohur i PS dhe një nga zërat më të fortë të partisë në parlament.
Burime thonë se Braçe nuk do të pranojë të jetë pjesë e listave të hapura, ndërsa këtë publikisht e pranoi sot Petro Koçi. Lënia jashtë e Braçes, Gjiknurit apo Xhafajt shihet si një goditje e rëndë për socialistët e bazës, të cilët tani duhet të mësohen me emra krejtësisht të panjohur, që ndoshta nuk kanë votuar asnjëherë për PS.
Pas disa fushatash dhe mandatesh në parlament, duket e pakuptimtë që emra me përvojë të lihen jashtë listës, duke e shndërruar grupin parlamentar të PS në një çerdhe të të rinjve pa asnjë kontribut në parti. Spastrimi i grupit parlamentar duket se i paraprin strategjisë së Edi Ramës për të “larë duart” me të vjetrit dhe për t’i dhënë vetes një furçë të re boje, ashtu si dikur fasadat e pallateve të vjetra të Tiranës.
Mbetet për t’u parë se çfarë do të bëjnë në këto kushte Erion Braçe, Damian Gjiknuri apo Fatmir Xhafaj. Ndërsa Xhafaj, muajt e fundit, u përdor hapur nga Edi Rama si një “kërbaç” për një komision parlamentar që synonte kontrollin mbi institucionet e drejtësisë dhe SPAK./korrieri