
Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste (PAA), Agron Duka, ka konfirmuar se nuk do të kandidojë për deputet në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Në një intervistë për emisionin “Opinion”, ai tha se është koha që t’u hapet rruga të rinjve dhe se ka kaluar mjaft vite në politikë.
“Mjaft është mjaft! Kam rreth 20 e ca vjet në politikë, moshën e kam për pension,” u shpreh Duka, duke lënë të kuptohet se nuk synon më një mandat parlamentar.
Megjithatë, ai nuk e ka në plan të largohet plotësisht nga skena politike. “Do e mbaj këtë parti, nëse do kem rezultate pozitive në zgjedhje,” tha ai, duke theksuar se politika mbetet një pjesë e rëndësishme e jetës së tij. “Politika është adrenalinë për mua.”
Në retrospektivë, ai u shpreh se nuk do të ndryshonte asgjë nga rruga e tij politike. “Ka shumë anë negative, agresivitet, por ka edhe anë pozitive, kënaqësi dhe marrëdhënie me njerëzit. Aq kohë sa kam kaluar në politikë, jam ndjerë mirë,” tha Duka.
PAA do të garojë në zgjedhjet e 11 majit si pjesë e koalicionit opozitar “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, ku janë bashkuar edhe 24 parti të tjera. /korrieri