
Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka refuzuar kërkesën e Klajdi Merkajt për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, duke vendosur që ai të mbetet në paraburgim.
Merkaj, i njohur si mik i ngushtë i vëllezërve Çopja, dyshohet nga hetimet e SPAK se ka qenë i përfshirë në pastrimin e parave të Hajdar dhe Franc Çopjas. Vendimi u mor të hënën nga gjyqtari Bib Ndreca, i cili vlerësoi se ka prova të mjaftueshme për të justifikuar vijimin e masës së sigurisë.
35-vjeçari u ekstradua nga Italia në nëntor të vitit 2024, pasi Gjykata e Posaçme kishte caktuar ndaj tij masën e arrestit për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim. Në kuadër të këtij hetimi, autoritetet kanë sekuestruar 44 pasuri të organizatës kriminale të drejtuar nga vëllezërit Çopja, të cilët dyshohen si organizatorë të gjashtë vrasjeve dhe 17 atentateve të dështuara gjatë viteve 2018-2020. Po ashtu, ata lidhen edhe me grabitjen e miliona eurove në aeroportin e Rinasit më 9 prill 2019, një ngjarje ku deri më tani ishin nën hetim persona të tjerë dhe emrat e tyre nuk ishin përmendur më parë.
Organizata kriminale e drejtuar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, nga Elbasani, u godit në fund të korrikut 2023 nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) në bashkëpunim me Europol dhe autoritetet ligjzbatuese të Belgjikës, Holandës dhe Francës. Operacioni ndërkombëtar, i koduar “Gorgon”, zbuloi aktivitetet e organizatës, që nga vitet 2006-2007 kur u krijua në Itali, ku vëllezërit Çopja nisën shpërndarjen e kokainës. Gjatë viteve, ata shtrinë aktivitetin kriminal edhe në Holandë, Belgjikë, Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera të Europës.
Sipas hetimeve, organizata është përgjegjëse për vrasjen e shtatë personave dhe plagosjen e dy të tjerëve gjatë periudhës 2018-2020. Ata gjithashtu tentuan të likuidonin grupin rival Alibej përmes vrasësve me pagesë. Aktiviteti i organizatës përfshinte trafikimin ndërkombëtar të drogës, përfshirë lidhje me grosistët e kokainës në Amerikën Latine dhe në disa vende të Azisë dhe Afrikës së Jugut. Pjesë e aktivitetit të organizatës ishte edhe pastrimi i parave, veçanërisht përmes investimeve në ndërtim në Shqipëri, si dhe përmes kompanisë “Elba Beton”, e cila kishte lidhje me Arjan Ormenajn dhe Arben Lamçen.
Hetimet zbuluan se një pjesë e parave të pastruara nga organizata u përdorën për ndërtimin e një pallati pranë spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë, ku Lamçja dhe Ormenaj investuan për llogari të Çopjes. Hetuesit dyshojnë se Ormenaj dhe Lamçja zhvilluan projekte ndërtimi dhe blenë pasuri të paluajtshme për të pastruar paratë, ndërsa veprat e tyre u regjistruan në emrat e të afërmve të krerëve të organizatës. Ndërkohë, Ormenaj është shpallur në kërkim për pastrim parash, ndërsa Lamçja u arrestua në Kosovë dhe u ekstradua në Shqipëri./korrieri