
Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, ka shprehur shqetësim për numrin e lartë të të paraburgosurve. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ballanca ka theksuar se masat e rënda penale nuk kanë gjithmonë efekt pozitiv dhe se duhet respektuar parimi i prezumimit të pafajësisë.
“Më herët ka pasur një qëndrim të qartë nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, të cilat kanë theksuar se masa e sigurimit ‘arrest në burg’ duhet të jetë e fundit dhe më e rënda për t’u aplikuar. Kjo lidhet ngushtësisht me respektimin e parimit të prezumimit të pafajësisë,” tha znj. Ballanca.
Shqetësimi i saj ngrihet në një moment kur me këtë masë ndodhet kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në dosjen hetimore të SPAK-ut, emri i Avokates së Popullit përmendet në lidhje me çështjen Veliaj. Një prej dëshmitarëve të pyetur nga SPAK ka deklaruar se gjatë një vizite në zyrën e Avokatit të Popullit, aty kishte gjetur drejtuesen e këtij institucioni së bashku me deputeten Klotilda Bushka, e cila është nën hetim për pengim të hetimeve.
“Deklaruesja shpjegon se, ndërsa ishte në zyrë duke punuar, rreth orës 14:30 u njoftua nga shoferi i institucionit, një shtetas i quajtur Tasim, se dikush e kërkonte nga jashtë. Më pas, shoferi i ka thënë të shkonte te zyra e Avokatit të Popullit. Kur është futur në zyrë, deklaruesja gjeti aty Avokaten e Popullit, znj. Erinda Ballanca, dhe deputeten Klotilda Bushka. Deklaruesja tregon se, pasi u përshëndet me të dyja, Bushka i shkel syrin, një gjest që ajo e interpretoi si një sinjal për të mos treguar çfarë kishte ndodhur gjatë periudhës maj-dhjetor dhe për takimet që kishte pasur,” thuhet në dosjen e SPAK.
Në mënyrë të ngjashme, shqetësimet e Avokates së Popullit përkojnë me ato të kryeministrit Rama, i cili, pas arrestimit të Veliajt, kritikoi publikisht aplikimin e masës “arrest në burg”. Rama deklaroi se kjo masë nuk duhet të zbatohet kur të arrestuarit nuk janë kapur në flagrancë, nuk paraqesin rrezik arratisjeje dhe nuk kanë mundësi të pengojnë provat.