
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump dhe Ukraina planifikojnë të nënshkruajnë marrëveshjen e shumëpërfolur për mineralet pas takimit katastrofik të Zyrës Ovale të premten, gjatë së cilës presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u nxor nga ndërtesa, raporton Reuters, duke cituar katër burime.
Sipas të njëjtës gazetë, tre nga burimet thanë se Presidenti Donald Trump u tha këshilltarëve të tij se dëshiron të shpallë marrëveshjen në fjalimin e tij në Kongres të martën mbrëma, duke paralajmëruar megjithatë se marrëveshja nuk është nënshkruar ende dhe situata mund të ndryshojë.
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment, ndërsa presidenca ukrainase dhe ambasada ukrainase në Uashington po ashtu nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Marrëveshja ishte “ngrirë” të premten pas një takimi të dështuar në Zyrën Ovale midis Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky që rezultoi në “përzënien” e liderit ukrainas nga Shtëpia e Bardhë.
Zelensky kishte udhëtuar në Uashington për të nënshkruar marrëveshjen, por ajo që ndodhi para kamerave shënoi fundin e palavdishëm të takimit.
Trump dhe zëvendëspresidenti J.D. Vance e qortuan Zelenskyn duke i thënë se duhet të falënderojë SHBA-në për mbështetjen e saj dhe të mos kërkojë ndihmë shtesë para mediave amerikane. “Po luan kumar me Luftën e Tretë Botërore”, i kishte thënë Trump.
Zyrtarët amerikanë kanë folur me zyrtarë në Kiev ditët e fundit për nënshkrimin e marrëveshjes për mineralet, pavarësisht shpërthimit të së premtes dhe u kanë kërkuar këshilltarëve të Zelenskyt që të bindin presidentin ukrainas që t’i kërkojë falje publikisht Trumpit, sipas një prej njerëzve të njohur me këtë çështje. Të martën, Zelensky postoi në X se Ukraina ishte e gatshme të nënshkruante marrëveshjen dhe e quajti takimin e Zyrës Ovale “për keqardhje./Korrieri