
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, së bashku me drejtues të tjerë të institucioneve të drejtësisë, mori pjesë në tryezën e organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjen.
Në këtë tryezë ishin të ftuar përfaqësues të organizatave joqeveritare, si dhe nga politika. Ermonela Felaj dhe Etjen Xhafaj nga PS-ja e kishin konfirmuar pjesëmarrjen, por nuk u paraqitën, ndërsa përfaqësues të PD-së as nuk morën mundimin ta konfirmonin pjesëmarrjen e tyre.
Mesazhi që përcjellin dy partitë e mëdha me këtë bojkot është i qartë: njëra sinjalizon shkrirjen dhe tjetra luftën me Prokurorinë e Posaçme. Dhe mesa duket, hapi i parë është hedhur sot me bojkotin e tryezës ku diskutohej për reformën në drejtësi, ku përveç kreut të SPAK-ut, ishin të pranishëm ambasadori i BE-së, ambasadorë të tjerë europianë dhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane. Një bllok i qartë në mbështetje të reformës dhe punës së SPAK-ut./korrieri