
Goditjet e fundit të SPAK kanë prishur rehatinë e kryeministrit Edi Rama. Në mbledhjen me socialistë të disa njësive në Tiranë, Rama duke folur për Prokurorinë e Posaçme tha se PS është garancia e vetme që kjo prokurori të ekzistojë. Ai gjithashtu u kujdes që të dërgonte mesazh edhe për prokurorët duke thënë se SHBA i tërhoqi ushtarët që i kishte sjell për të ndihmuar SPAK, dhe sipas tij nëse PS do të donte ta shkrinte SPAK-un, e ka të thjesht mjafton t’i bëjë një fishkëllim Berishës.
“Askush jashtë kësaj partie nuk na kërkon dot ne hesap për luftën kundër korrupsionit sepse çfarë po ndodh sot, është lufta jonë. Nuk jemi ne viktimat këtu. Nuk është një luftë që na e hapi Amerika, se Amerika i tërhoqi ushtarët që i kishte sjell për të ndihmuar dhe për të mbështetur SPAK-un, ikën nuk janë më aty. E ja ku është SPAK-u aty. Kush e mban SPAK-un aty, meqë e kishte sjell Amerika, e mbante Amerika këto, kush e mban? Pastaj e keni dëgjuar bufin e kënetës që thotë do ta shkrij? Në qoftë se ne do të ishim ata që përpiqen të na pikturojnë, ishte shkrirë SPAK-u sot. Skishim nevojë fare, një fishkëllim bufit dhe e di si vinte. Megjithë ushtrinë nga mbrapa për të shkrirë SPAK-un, por nuk ndodh kjo. Pse nuk ndodh kjo, jo se nuk na lë Amerika, por se e kemi sjell ne këtë punë deri këtu” – tha Rama.
Por halli i vërtetë i kryeministrit është humbja e mbështetjes në elektorat që mund të pësojë forca politike që drejton pas arrestimeve të bujshme. Dhe kjo u vu re në bilancin që bëri dhe që tentoi ta minimizonte, duke thënë se në qeverisjen e gjatë të tij, vetëm 4 ministra janë arrestuar.
“Ne kemi pasur 6 vite e kusur ministra në qeveri, dy ministra të dënuar njëri i Partisë Socialiste, njëri i aleatit strategjik ndjesë pastë në mandatin e parë. Njëri ende në gjykim, pra prezumi i pafajësisë ekziston akoma, tjetri i arratisur për t’i ikur drejtësisë. Kam harruar ndonjë, 4. Se në qoftë se ky është sebepi për të kundër votuar Partinë Socialiste, atëherë duhet të na tregojnë një forcë tjetër politike që nga 1912-ta që ka bërë këtë që kemi bërë ne” – u shpreh Rama.
Ndryshe nga rivali i tij kryesor që kërkon ta shkrijë, Rama e merr në konsideratë dhe e llogarit mirë besimin e madh që ka SPAK nga qytetarët. Për këtë ai zgjodhi ta paraqesë PS si forcën politike që do jetë garancia për vazhdimësinë e Prokurorisë së Posaçme, pasi sipas tij, edhe të rinjtë premtojnë por nuk kanë asgjë në dorë dhe nuk do të kenë.
Në një fjalim të gjatë ku Erjon Veliaj nuk u përmend në asnjë rresht, kryeministi nuk harroi të përmendte gabimet e drejtësisë së re. “Tani ndryshimi midis gabimeve që bën cilido tjetër, një gabim i Bashkisë X në mbjelljen e pemëve, në vend të mbjelljes brenda sezonit të mbjelljeve, i mbjellë në korrik, kushton njëqind pemë që thahen.
Një gabim i një sistemi të ri drejtësie, që është totalisht i pavarur, por që ka mangësi të tjera, kushton jetë njerëzish” tha Rama sipas të cilit kjo mund të justifikohet me faktin se kështu është politika.
“Duhet ta përballojmë dhe duhet të vazhdojmë të këmbëngulim, që kështu duhet të jetë tani. Këto janë kosto, që përndryshe rruga tjetër është ktheu aty ku ishe dhe vazhdon loja.”- Përfundoi kryeministri duke lënë të paqartë : A është tashmë Veliaj thjesht një “kosto” ?