
Trupi i Leo Sadikut, 12-vjeçarit nga Maliqi që humbi jetën në QSUT më 8 janar të këtij viti, është zhvarrosur ditën e sotme.
Ekspertët e institutit të mjekësisë ligjore, shoqëruar nga prokurorë të Prokurorisë të Tiranës e cila po heton rastin, në prezencën edhe të familjarëve të 12-vjeçarit, kanë zhvarrosur trupin e të miturit i cili do t’i nënshtrohet autopsisë.
Ekspertët do të marrin mostra nga trupi i 12-vjeçarit të cilat më pas do të dërgohen për ekspertim në institutin e mjekësisë për të hedhur dritë mbi shkakun e vdekjes.
Stafi i QSUT tha se vdekja e tij erdhi si pasojë e miokardit akut, por familjarët kanë hedhur poshtë këtë pretendim dhe akuzojnë mjekët për neglizhencë.
Tashmë do të jetë autopsia e cila do të përcaktojë qartë shkakun e vdekjes së 12-vjeçarit. /korrieri