
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar sulmet ndaj SPAK, duke deklaruar se do ta shpërbëjë këtë institucion sapo të vijë në pushtet. Në emisionin “Çim Peka Live”, ai e cilësoi drejtësinë e re si një “prokurori politike” dhe tha se nuk do të lejojë askënd ta ndalojë në këtë vendim.
“Prokurori politike unë nuk mbaj. Ta dinë se arma më e keqe e diktaturës është drejtësia politike, unë këtë s’mund ta pranoj. Drejtësi politike nuk mund të ketë në Shqipëri. Është çështje jetë ose vdekje. Njëri në botë që të më kërkojë të mbaj drejtësi politike, kjo nuk ndodh. Në rafshin politik, është ndër prokuroritë më të zeza që ka pasur Shqipëria. Shkelin çdo standard dhe janë po aq politik sa ishte prokuroria e sigurimit të shtetit,” – tha Berisha.
Kjo deklaratë vjen në një moment kur ish-kryeministri dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ndajnë të njëjtin front kundër SPAK. Veliaj ka akuzuar institucionin për hetime të njëanshme, ndërsa Berisha e ka shpallur si “prokurorinë më të zezë që ka pasur Shqipëria”.
Sulmet e tyre të njëkohshme kundër organit të akuzës tregojnë një linjë të përbashkët në përpjekjen për të delegjitimuar institucionin që ka goditur figura të larta të politikës shqiptare.
Ndërkohë SPAK është e vetmja shpresë se Shqipëria mund të shpëtojë nga korrupsioni galopant i kësaj klase të kalbur politike. /Korrieri