
Gjatë ditëve të fundit është tentuar hakerimi i llogarive të Gazeta Korrieri. Sipas të dhënave të skuadrës tonë digjitale, gjatë ditës së djeshme dhe mëngjesit të sotëm, në drejtim të llogarive të Korrierit në WEB dhe rrjete sociale ka patur një sulm të koordinuar me qëllim rrëzimin ose marrjen e tyre nën kontroll.
Sulmi ka rezultuar i pasuksesshëm për shkak edhe të mbrojtjes së fortë të sistemeve tona. Pas kontaktit me ta, kompania e serverave në vuri në dijeni se gjithçka është në rregull dhe sulmi nuk ka shkaktuar asnjë dëm, ndërkohë që kemi zbuluar edhe origjinën dhe porositësit e këtij sulmi.
Duket se sulmet kanë ardhur në një moment kur Korrieri po denoncon dita ditës aferat miliardëshe me fondet publike me tenderë dhe kompani “fantazmë” të sapolindura që bëjnë shumë para për shkak të lidhjeve të pronarëve të tyre, por garantojmë porositësit e sulmit se denoncimet tona do të vijojnë, qoftë edhe nëse na mbetet një deriçkë e vogël online. Madje, veprime të tilla na inkurajojnë edhe më tepër për denoncimin e radhës. /korrieri