
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj ka mbajtur një konferencë për mediat ku ajo prezantoi raportin vjetor të këtij institucioni. Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar 408 kërkesa me vendime të arsyetuara, nga 520 kërkesa totale të dorëzuara (427 të reja dhe 93 të mbartura nga viti 2023). U morën 86 vendime përfundimtare dhe 47 vendime moskalimi. Aktualisht, 104 kërkesa janë ende në shqyrtim brenda afateve procedurale.
Zaçaj tha se nga çështjet e trajtuara, 55 u pranuan ose u pranuan pjesërisht, ndërsa 31 u rrëzuan. Zaçaj theksoi se Kushtetuesja nuk ka stok çështjesh të prapambetura jashtë afateve. Sipas mënyrës së votimit, Gjykata ka dhënë 42 vendime njëzëri me votë unanime dhe 42 me shumicë votash. Vetëm në 2 vendime Gjykata ka vendosur rrëzimin për mosarritje të shumicës apo pamjaftueshmëri votash për një qëndrim.
“Gjatë vitit 2024, ishin 520 kërkesa për shqyrtim, 427 të reja dhe 93 të mbartura nga viti 2023. Shqyrtuam 408 kërkesa me vendime të arsyetuara, 86 vendime përfundimtare, 47 vendime moskalimi të mbledhjes së gjyqtarëve. Numri total i kërkesave të mbartura që janë brenda afateve procedurale është 104, nga të cilat 28 janë në shqyrtim në seancë plenare, 77 në fazë shqyrtimi paraprak. Gjykata vendosi pranimin ose pranimin pjesërisht të kërkesës në 55 çështje dhe rrëzimin e tyre në 31 çështje. Sipas mënyrës së votimit, 42 votime unanime dhe 42 me shumicë votash. Gjykata Kushtetuese nuk ka stok çështjesh të prapambetura jashtë fateve procedurale. Gjykata pati në fokus edhe përmbushjen e objektivave strategjik me qëllim dhënien e një drejtësie kushtetuese funksionale. Në raportin e KE, Gjykata Kushtetuese ka marrë vlerësime pozitive duke u konsideruar si efektive në ruajtjen e kontrollit dhe balancës mes organeve të pushteteve”, tha Zaçaj.
Zaçaj sqaroi gjithashtu për gazetarët se të mërkurën e 19 shkurtit i është drejtuar me një kërkesë kreut të SPAK, Altin Dumani me kërkesë për informacion nëse ndonjë anëtarë kushtetues është vënë në përgjim nga Prokuroria e Posaçme.
Holta Zaçaj: Në lidhje me pyetjen tuaj Gjykata nuk ka asnjë informacion në lidhje mesa është shkruar për një përgjim të mundshëm apo të pretenduar ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Pasi u informua në lidhje me këto lajme, trupa vendosi që t`i drejtohej zotit Altin Dumani me kërkesë për informacion, për ndonjë kallëzim apo hetim ndaj ndonjë gjyqtari, për sa kohë që veprimet e pretenduara i referohen një vendimmarrjeje konkrete të Gjykatës ku vetë SPAK është palë. Shkresa është dërguar zyrtarisht ditën e mërkurë, datë 19 shkurt. Ende nuk kemi një përgjigje zyrtare nga ai institucion. Ndërkohë që si Kryetare e Gjykatës Kushtetuese informova zotin Dumani se nuk jam vënë në dijeni nga asnjë gjyqtar për ndonjë ndërhyrje apo ushtrim të ndonjë forme ndikimi të papërshtatshme nga avokatë, funksionarë politikë, publikë ose subjekte të tjera, bazuar në nenin 10, pika 3, të ligjit organik. Gjykata mbështet çdo veprimtari të organeve ligjzbatuese në ushtrim të juridiksionit të tyre, gjithmonë në përputhje me kompetencat që i njeh Kushtetuta dhe ligji.
Zaçaj tha se Gjykata mbështet çdo veprimtari të organeve ligjzbatuese në ushtrim të juridiksionit të tyre, duke theksuar “gjithmonë në përputhje me kompetencat që i njeh Kushtetuta dhe ligji”. /korrieri