
Erion Veliaj dhe Sali Berisha duket se janë në sinkron sa i përket sulmeve ndaj SPAK dhe prokurorëve të tij me qëllimin final shpërbërjen ose delegjitimin e tyre për të lehtësuar veten përballë akuzave. Veliaj është në qeli i arrestuar për korrupsion, kurse Berisha me masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe akuzë për korrupsion.
Deri dje Veliaj thoshte se SPAK ishte investimi më i mirë i vendit, por sapo u arrestua ndryshoi gjuhën duke fyer dhe shantazhuar Ols Dadon, ndërsa Berisha vijon me dy standardet e tij, ku protestat e demokratëve para SPAK i quan të drejta, ndersa dënon protestat e punonjësve të Veliaj aty, shkruan Korrieri.
“SPAK është një prokurori politike” – kështu mendon Sali Berisha, i cili nuk i ka kursyer akuzat ndaj Altin Dumanit, prokurorit që ka qenë edhe pjesë e dosjes së Erion Veliajt. Ndërkohë, dy prokurorët e çështjes së kryetarit të Bashkisë së Tiranës janë tashmë në qendër të akuzave nga Berisha dhe Veliaj.
Nga njëra anë, kryetari i PD ka vijuar sot akuzat ndaj Altin Dumanit, duke paralajmëruar se, kur të vijë në pushtet, do të kërkojë ndjekje penale për të. Nga ana tjetër, Erion Veliaj nuk i ka kursyer as sot epitetet fyese për prokurorin Olsi Dado.
Prokurori Olsi Dado është cilësuar nga Veliaj si një “muzikant i dështuar”, “violinist mediokër”, “hajvan” “që e kanë bërë prokuror shoqet” dhe “lunatik që nuk e ka idenë se çfarë është drejtësia” apo “një skuth i pështirë që ndjek urdhra me sy mbyllur”.
Nga ana e tij, kryetari i PD për Altin Dumanin e cilësoi sërish si “vegël e ndyrë, e keqpërdorur”, “kriminel”, “Altin Lala” dhe një sërë etiketimesh të tjera që bien ndesh me etikën më të zakonshme të komunikimit politik.
Që koherenca nuk ka qenë kurrë pika e fortë e politikës shqiptare, kjo tashmë është e qartë. Por tani, lufta e partive të mëdha ndaj SPAK është përqendruar në sulme personale ndaj prokurorëve. Secila forcë politike, si PS ashtu edhe PD, kanë “listën” e tyre të preferuar të prokurorëve të posaçëm, duke u përpjekur të ndërtojnë një narrativë që u shkon për shtat.
Sulmet personale për delegjitimimin e Prokurorisë së Posaçme vazhdojnë, ndërsa SPAK deri më tani nuk ka reaguar ndaj fyerjeve publike që po u bëhen prokurorëve nga elita politike.