
Gazeta Korrieri ka zbuluar detaje të reja mbi lidhjet financiare mes ish-kryebashkiakut Erion Veliaj dhe aristëve që janë bërë pjesë e enturazhit të tij për imazh, përfshi aktorin Arben Derhemi, i cili fillimisht ishte kundër prishjes së Teatrit Kombëtar, por më pas ndryshoi qëndrim dhe firmosi në favor të ndërtimit të teatrit të ri.
Fillimisht, Derhemi u rreshtua krah artistëve që kundërshtonin prishjen e godinës historike, përfshirë Altin Bashën.

Por pas disa takimeve me Veliajn, që kulmoi me foton e mësipërme, ai doli hapur në mbështetje të projektit të ri, duke legjitimuar veprimet e Bashkisë, e cila shembi Teatrin në orën 5 të mëngjesit.

Korrieri mëson se, përmes kompanisë ART AD (NIPT M12409017A), Derhemi ka marrë 61 mijë euro financime nga Bashkia Tiranë, me firmën e Veliajt. Pagesa e parë është kryer në vitin 2022, ndërsa e dyta në vitin 2024.

Ish-kryebashkiaku Erion Veliaj ndodhet aktualisht i arrestuar, i akuzuar për një skemë të gjerë korrupsioni, në të cilën është përfshirë edhe bashkëshortja e tij. Hetimet për shpërdorimin e fondeve publike po zgjerohen, ndërsa pritet të zbulohen emra të tjerë të përfshirë./korrieri