
Një leje ndërtimi e miratuar në 19 korrik 2023, nga kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj, për subjektin tregtar “Palushi”, që administrohet nga biznesmeni Meriman Palushi, sipas SPAK është bërë shkak për kalimin e 50 mijë eurove në llogaritë e dy OJF-ve “Eventus” dhe “BYL-A” të Ajola Xoxës.
Shuma prej 50 mijë euro, është ndarë në dy fatura, ku brenda një dite në datën 6 shtator 2023, janë paguar nga subjekti “Palushi”, 20 mijë euro tek “BYL-A” me përshkrim “Financim Festival Artistik” dhe 30 mijë euro tek qendra “Eventues” me përshkrim “Financim festival artistik”.
Në dosjen e SPAK, thuhet se 2 muaj përpara se të kalonin 50 mijë eurot në dy OJF-të e kontrolluara nga Ajola Xoxa, Erjon Veliaj në datën 19 korrik 2023, ka miratuar një lejë ndërtimi për subjektin “Palushi”, për ndërtimin e një vile individuale dy katëshe plus 1 kat nën tokë.
Prokurori i SPAK, Altin Dumani ka ngritur dyshime të forta se sasia e parave është paguar përmes dy faturave nga “Palushi” si formë ryshfeti në këmbim të dhënies së lejës për ndërtimin e vilës nga kompania në fjalë.
Në lidhje me aktivitetin e këtyre dy faturave ka rezultuar se nga komunikimet mes financiers Adela Kondakçiu dhe Albana Koçollarit, të zhvilluara më datën 5 shtator 2023, konstatohet se kjo e fundit i kërkon Adela Kondakçiut t’i niste faturat që në total bëjnë 50 mijë euro.
Paraprakisht kësaj kërkese, Albana Koçollari, i kërkon Adela Kondakçiut që faturat të lëshohen pa TVSH nga persona fizikë, pa përcaktuar se cilët duhet të ishin këta persona.
Kjo në mënyrë që “Palushi” mos paguante më tepër sesa kishin rënë dakord. Me interes është fakti se për faturat flitet mes Adela Kondakçiut dhe Albana Koçollarit dhe jo me përfaqësuesit e “Palushit” si dhe të dyja faturat me këtë përshkrim lëshohen në të njëjtën datë dhe me të njëjtin përshkrim, pa TVSH, sipas kërkesës së bërë më parë nga Albana Koçollari.
Për më tepër thotë SPAK, kryetari i bashkisë Tiranë Erjon Veliaj një vitë më pas në datën 19 korrik 2024, ka firmosur një lejë ndërtimi me afat 48 muaj për subjektin privat “Palushi”, me qëllim ndërtimin e një pallati 12-katësh në Tiranë.
Gjithashtu një tjetër lejë ndërtimi që është firmosur nga Erjon Veliaj për llogari të kompanisë “Palushi” është në 5 nëntor 2019 për ndërtimin e një pallati 10 katësh në Tiranë./korrieri