
Policia ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Latitant”, duke arrestuar një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të drejtësisë italiane.
Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe bashkëpunimit të ngushtë me zyrat homologe të Interpolit, u bë e mundur lokalizimi dhe arrestimi i Erjon Meshi, alias Arjon Mema, 32 vjeç. Operacioni u realizua nga Sektori i Qarkullimit Rrugor dhe Forca e Posaçme Operacionale në DVP Durrës.
Shtetasi Meshi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Trentos i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Mbajtje e paligjshme, shitje, prodhim, shpërndarje dhe trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrje në grup kriminal, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, sipas Kodit Penal të Italisë.
I arrestuari ndodhet në paraburgim, ndërsa procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë janë në proces. Policia garanton vazhdimin e angazhimit për kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht dhe luftën kundër grupeve kriminale.