
TIRANË-Gjykata e Posaçme ka vendosur që të dënojë me 1 vit burg kryebashkiakun e Rrogozhinës Edison Memolla. Gjithashtu ai është dënuar edhe me heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite. Memolla u shpall fajtor për akuzat “korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe veprën penale “falsifikim i dokumenteve”.
Kryebashkiaku i Rrogozhinës, u mor i pandehur nga SPAK më 19 tetor 2023, pas një denoncimi ku gjatë fushatës elektorale urdhëronte punonjësit e OSHEE që të mos i prisnin energjisë elektrike një familjeje të varfër që nuk kishte mundësi t’i paguante. Në këmbim, familja do të votonte Memollën. Në media u publikua një bisedë telefonike, ku kryebashkiaku dëgjohet t’i kërkonte të bisedonte me elektricistin të cilin e porositi të mos ia presë dritat sa të kalojë edhe muaji i zgjedhjeve.
Përgjimi që ‘fundosi’ Edison Memollën
Elektriçistët kishin shkuar në shtëpinë e zonjës për të prerë dritat pasi ajo kishte disa muaj pa paguar dhe kjo e fundit i ka kërkuar ndihmë kryebashkiakut Memolla. Gjatë bisedës telefonike të publikuar në media, Memolla shprehej se ishte i gatshëm ta paguante ai faturën e muajit, por pasi elektricisti i komunikon se familja në fjalë kishte 5 muaj pa paguar dritat, kryetari i bashkisë është shprehur se do të komunonte me shefin e tij.
Në një bisedë telefonike me një grua, Memolla konfirmon se ishte takuar më herët me telefonuesen, së cilës i kishte garantuar mosndërprerjen e energjisë, në këmbim të votës.Më pas në telefon del elektricisti që kishte shkuar për ndërprerjen e energjisë, të cilit Memolla i kërkon që të mos ia ndërpresë energjinë sa t’i marrin votat, e për të justifikuar veprimin, ai vetë do t’i paguante faturën e një muaji. Kryebashkiaku e orienton elektricistin që pasi të kalojnë zgjedhjet mund të vepronin. Por jo vetëm kaq. Kandidati i Partisë Socialiste për Rrogozhinën Edison Memolla, i thotë elektricistit, me të cilin kishte njohje të mëparshme se do të fliste me Edin e më pas të flisnin edhe më lart, në mënyrë që këtë periudhë, sa të kalonin zgjedhjet, të mos bënin ndërprerje, por aksionin ta nisnin pas 6 marsit, kur qytetarëve t’u kishin marrë votën./korrieri