
Sot shënohen 14 vite nga protesta e 21 Janarit në bulevardin “Dëshmorë e Kombit” në Tiranë, ku mbetën të vrarë katër qytetarë, Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Edhe pse vitet kalojnë ende nuk është bërë ‘paqe’ me atë që ka ndodhur, pasi familje që kanë humbur të dashurit e tyre kërkojnë të vendoset drejtësi. Familjarët e të ndjerëve, qytetarë dhe anëtarë të maxhorancës zhvilluan homazhe në 14 vjetorin e tragjedisë së “21 Janarit”. Ata vendosën lule në vendin ku katër viktimat ndërruan jetë. Homazhe nga familjarët u mbajtën edhe pranë varrit të Ziver Veizit në fshatin Zenelaj të Gjirokastrës.

REAGIMET:
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka kujtuar protestën e dhunshme të 21 janarit 2011, gjatë së cilës u vranë 4 protestues dhe u plagosën disa të tjerë. Kreu i qeverisë shqiptare, shkruan krah fotos së publikuar se ata që po vonojnë drejtësinë për 21 janarin nuk duhet të harrojë se fëmijët e dëshmorëve po bëhen prindër.
“Drejtësia vonon po nuk harron”, thotë populli dhe sot kush po e vonon drejtësinë për 21 janarin, nuk duhet të harrojë se fëmijët e dëshmorëve po bëhen prindër duke pritur drejtësinë”, shkruan Rama.
Edhe deputeti Erion Braçe ka reaguar për ngjarjen e 21 Janarit, në të cilën u vranë katër protestues. Në një postim në Facebook ai shkruan se “çdo thirrje për drejtësi nuk është thirrje për hakmarrje”.
“Sot është #21janar, përsëri -14 vite rresht! Ky që dëgjoni nuk është urdhri, është transmetimi i urdhrit të pushkatuesit: Me të kaluar gardhin e telave, do të hapni zjarr luftarak! ky është urdhri! Ta ta ta gjakos, gjakos! shikoni, të vjedhësh është një gjë-kriminale doemos; por të vrasësh për të vjedhur, duke vjedhur, për të mbrojtur vjedhjen e veten, është tmerr, tmerr Është kafshëri pastaj të vijosh urdhrat: Kujdes municionin, kujdes municionin! Jo njerëzit e opozitës, të ndryshëm nga ty, po edhe kundërshtarët e tu, por municionin me te cilin po i pushkaton, po i vret, barbarisht! e kuptoni cështë kjo? Dhe pyetjen nuk e kam për njerëzit e zakonshëm; pyetjen e kam për prokurore e gjykatës! Kjo histori ka 14 vite që nuk hetohet! Kjo histori ka 14 vite që nuk gjykohet! Nuk bëhet drejtësi! themelet e çdo sistemi bien këtu! Çdo thirrje për drejtësi, nuk është thirrje për hakmarrje; as këto proceset e tjera, me e pa lidhje me ngjarjen, por me të njëjtin pushtet kriminal, nuk janë hakmarrje; nuk ka kush hak për të marre, sidomos mes politikanesh; duhet drejtësi, vetëm kaq! Jetët e Ziver Veizit, Hekuran Dedes, Faik Myrtajt, Aleks Nikës, nuk këmbehen me asgjë, asnjë hak; duhet drejtësi, kaq!“, shkruan Braçe.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në deklaratën për media ka ka shpjeguar qëndrimin e tij në lidhje me viktimat e ngjarjes të 21 janarit 2011 dhe ndaj hetimeve që kanë pasuar. Kreu demokrat, i cili aso kohe ka qenë kryeministër, është shprehur se që natën e protestës, ka kërkuar hetim ndërkombëtar për ngjarjen. Berisha tha se ngjarja po përdoret për qëllime politike dhe për të fshehur organizatorët e saj, që sipas tij, sollën njerëz në protestën më të dhunshme që ka patur politika në këto 32 vite.
“Së pari, keqardhjen time e kam shprehur për viktimat jo pas 14 viteve, siç pretendoni ju, apo ata që mendojnë si ju, por e kam shprehur fiks në ora 7 të darkës të asaj nate. Pra me datën 21 janar të vitit 2011 dhe në mënyrë të përsëritur. Së dyti, po atë natë dhe të nesërmen, të pasnesërmen, kam kërkuar një hetim ndërkombëtar. Kam kërkuar jo hetim, por hetim ndërkombëtar të çështjes. Institucionet më serioze ndërkombëtare janë shprehur se ajo protestë e dhunshme kishte axhendë politike. Së treti, edhe njëherë ka një deklaratë të qeverisë së SHBA, në të cilën kërkohet hetimi që nga polici tek organizatori që publikisht dhe botërisht është Edi Rama. Së katërti, ata që nuk duan të mashtrojnë veten dhe nuk duhet t’i përdorin fatkeqësitë e të tjerëve për ushqim politik, duhet ta dinë se në këto 14 vite, prokuroria ka qenë tërësisht nën kontrollin e Edi Ramës. Ishte Ina Rama prokurore, që unë e akuzova për puçiste, që refuzoi prokurorin ndërkombëtar. Dhe pas vitit 2013, njëri pas tjetrit prokurorë nga Arta Marku, Olsi Çela etj, njeri tjetër përveç Edi Ramës nuk i ka penguar ata të hetojnë në çdo aspekt. Por përdorimi politik i kësaj ngjarje tragjike, ku u sollën për qëllime të mirëfillta politike, për të pushtuar kryeministrinë Edi Rama, se donte sipas shumë gjasave të mbante edhe një fjalim, është totalisht dëshmi e keqpërdorimit total të kësaj ngjarje kryekëput për qëllime politike dhe për të fshehur përgjegjësinë e organizatorëve që sollën njerëz në një protestë, më të dhunshmen që ka pasur Shqipëria në 32 vite. Jam shprehur, shprehem dhe do shprehem, mbështes çdo lloj hetimi të kësaj ngjarje,por gjithashtu deklaroj se nuk ka asgjë tjetër vetëm për të shpëtuar përgjegjësinë e atij që organizoi protestën më të dhunshme për qëllime të pushtetit të tij, Edi Ramës,”-tha Berisha.
Çfarë ndodhi më 21 janar?
Një protestë e thirrur nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë doli jashtë kontrollit dhe do të përfundonte me vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës para Kryeministrisë, pas të shtënave me armë zjarri ng Garda e Republikës. Partia Demokratike, në qeveri do e cilësonte tubimin si grusht shtetit dhe krim shtetëror. Nga 2011 deri më sot, dosja e 21 janarit është ende në gjykatë. Në lidhje me ngjarjen u morën të pandehur Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg. Familjarët e viktimave prej 13 vitesh kërkojnë drejtësi ndërsa akuzat politike rishfqen para çdo fushate elektorale.
PËRGJIMET E PLOTA TË DITËS SË 21 JANARIT:
KOMUNIKIMI I PARË:
Ndrea Prendi: Alfred dëgjon?
Alfred Ahmetcenaj: Po dëgjoj
Ndrea Prendi: Po afrohen shumë, duhet të jeni gati për zjarr
Alfred Ahmetcenaj: Po të kuptova drejt.
KOMUNIKIMI I DYTË:
Komandanti i Gardës Ndrea Prendi: Të mbahen armët në dorë gati për zjarr. Të mbahen armët në dorë gati për zjarr në ajë. Pastaj kur të them unë në trup.
Ndrea Prendi: Artan (Artan Hoxha, zv komandanti i Gardës). Dëgjon? Artan dëgjon?
Artan Hoxha: Dëgjoj, dëgjoj.
KOMUNIKIMI I TRETË:
Ndrea Prendi: Me të kaluar gardhi i telave do hapet zjarr luftarak
Artan Hoxha: Kuptova, kuptova
Ndrea Prendi: Ky është urdhëri, Dashamir dëgjuat
Dy efektiva të njësisë speciale: Alfred (Alfred Ahmetcenaj) ta-ta-ta gjakos (urdhëri për të vrarë)
Komunikimet (urdhërat) janë dhënë vetëm me radio nga komandanti i Gardës për vartësit e tij. Pasi u dha urdhëri për të qëlluar, u zbatua duke realizuar të shtënat një nga një dhe me breshëri, nuk është dhënë me asnjë urdhër tjetër për të qëlluar. Nga komunikimi në radio, menjëherë pas vrasjeve të protestuesëve, ka jnë qetësi absolute tek komandanti i Gardës dhe oficerët drejtues me të cilët ai komunikon. Komunikimi në vijim është sikur nuk ka ndodhur asgjë, madje nuk përmendet në asnjë moment që ka të vrasë apo të plagosur.
I panjohur: 260 i Luanit, dëgjon?
260 i Luanit: Ju dëgjoj
I panjohur: Të kërkon ministri, këtu në radio
KOMUNIKIMI I KATËRT:
Audio: Menjëherë dëgjohen të shtëna tek e tek, sërish dëgjohen 8 të shtëna radhazi një nga një.
Ndrea Prendi: Alfred?
Alfred Ahmetcenaj: Po dëgjoj (dëgjohen 2-3 të shtëna tek e tek)
Ndrea Prendi: Kujdes municionin! Kujdes municionin!
KOMUNIKIMI I PESTË:
Ndrea Prendi: Martin më dëgjon? Agim më dëgjon? Agim? Agim? 202 i Tufanit (kodi i radios) më dëgjon?
202 i Tufanit: Këtu jam. Ngjitur, ngjitur.
Ndrea Prendi: Alfred, një grup i njësisë speciale këtu tek porta numër 2.
Alfred Ahmetcenaj: Të kuptova
Ndrea Prendi: Artan më dëgjon
Artan Hoxha: Dëgjoj
Ndrea Prendi: Le ta djegin pemën nuk ka problem
I panjohur: 260 e Luanit?
I panjohur: Luani 3
Por kush komunikoi në radion speciale, tek e cila jo të gjithë mund të dërgonin mesazhet e tyre?
Kodi i radios ishte “202 i Tufanit”!
Në përgjimet dëgjohet zëri i Ndrea Prendit, komandanti i atëhershëm i Gardës së Republikës; Zv/komandantit të gardës, Artan Hoxha; Komandantit të Njësisë Speciale të Gardës majorit Alfred Ahmetcanaj; dhe vetë asokohe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. E megjithatë ka edhe emra ende të “po çkoduar” si psh: “260 i Luanit”; “I panjohuri”; Martini, mbiemri i të cilit nuk del. Sipas Artan Hoxhës në radio ka pasur akses edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Tiranës, Saimir Muça, i cili ka dëgjuat gjithashtu urdhërin e dhënë për vrasje.
Pas publikimit të përgjimeve, një reagim erdhi asokohe edhe nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha. I ftuar në studion e emisionit “Open”, Berisha deklaroi se gjithçka ishte një krijim i ish-kreut të Policisë Ardi Veliut, ndërsa shtoi se ka teknika që mund të krijojnë zërin e kujtdo, duke vënë në dyshim vërtetësinë e komunikimeve të publikuara në media.
“U tha që është audio pa e dëgjuar publiku. Ai është një transkript që shkruhet si të duash. Pse Ardi Veliu ka një teknikë të krijimit të zërit, a doni t’ua jap këtu? Duket se zëri nuk u ka dalë dot, se gjë më qesharake se të paraqesësh atë. Të thonë që ka audio kur nuk ka zë është e turpshme. Kur të dalë nuk ka asnjë kredibilitet më, sepse duhet të dilte me transkriptin. Krijohet zëri i kujt të duash. Zëri që ti nuk e dikton dot, sot ka teknika. Do thuash pse Ardi Veliu, dy skena të keni parasysh. Anila Hoxha po ndiqte një herë një zhvillim te Mali me gropa dhe desh e hodhi polici te gremina, kujtoni kur u kap Klement Balili, ky që servirte shkrimin për audio raportonte nga makina e tij takimin e Veliut me Balilin. Ky është një njeri i shumë përdorur. Nëse e ke zërin e merr e dërgon në SPAK, ministri çfarë tha. SPAK të verifikojë është apo jo e vërtetë. E kuptoni ju ku është ky? Jam pro për çdo hetim, nuk ka pasur pengesa, po këtyre u duhen të ndjerët kur u leverdisin për qëllime politike. Personi që ka fshirë serverin e kanë marrë dhe e kanë nxjerrë të pafajshëm,”- tha Berisha.
Hetimet
Dosja e 21 janarit ka kaluar në ‘duart’ e SPAK! Ashtu siç u udhëzua edhe nga Gjykata e Lartë, hetimi që do të kryhet nga SPAK duhet që të zbardhë rolin e ish-kryeministrit Sali Berisha; ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, Ndrea Prendit dhe të tjerëve të përfshirë në vrasjen e 4 protestuesve në bulevard. SPAK njoftoi se më datë 15 korrik 2024 është regjistruar nisja e hetimeve për disa vepra penale: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.