
Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot në Gjirokastër, ku një i ri është gjetur i pajetë në ambientet e konviktit të shkollës private “Frymë Dashurie”.
Viktima është identifikuar si Simon Sholla, 21 vjeç, nga fshatrat e Lushnjës.
Korrieri mëson se shokët e dhomës së tij ishin të parët që e gjetën trupin, duke menduar fillimisht se ai po flinte. Kur vunë re se nuk po reagonte, ata njoftuan menjëherë autoritetet e shkollës, e cila ndodhet pranë katedrales ortodokse “Lindja e Krishtit”.
Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje për të hetuar rrethanat e vdekjes së të riut, i cili ishte student në shkollën e mesme private.
Sipas informacioneve paraprake, pranë trupit të viktimës janë gjetur preparate ilaçesh, çka ngre dyshime se ai mund t’i ketë konsumuar në sasi të tepërt.
Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur shkaqet e sakta të kësaj ngjarjeje të rëndë./korrieri