
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha këtë të enjte në “Now me Erla Mëhillin” se të gjithë betejën e tij kundër SPKA e ka për qëndrimin e tyre lidhur me krimin zgjedhor.
Sipas tij Pandeli Majko është përfshirë në krime zgjedhore dhe ka qenë rastësi mënyra se si kjo është zbuluar.
Berisha tha se në 30 e ca vite ai asnjëherë nuk e kishte sulmuar më parë Majkon, madje kishte bërë edhe një pakt me të në kohën e luftës në Kosovë, por kur pa dosjen nuk mund të mos e thoshte.
“Pandeli Majko në 30 e ca vite nuk është sulmuar ndonjëherë nga Sali Berisha. Madje e vërteta është se kam bërë edhe një pakt me të kur i dridheshin këmbët gjatë luftës në Kosovë. Por kur unë mora dosjen edhe sikur të quhej Pandeli Berisha prapë do e bëja. Ai gaboi rëndë me ato që tha. Ai ka kryer krim, sepse është regjistruar. Ai është ulur në tavolinë me Afrim Hodën dhe me Ardian CCelën dhe kanë bërë planin e sigurimit të parave për të blerë zgjedhjet.
Janë tender për shtyllat centrufugale. Unë po ua them se ka dërguar në Kukës, ka dërguar ekip të posaçëm për vëzhgimin e trafiqeve të drogës dhe të armëve. Ata siç e kanë punën e tyre kanë vendosur përgjuesit në një tavolinë ku uleshin të dyshuarit. Aty është ulur Majko. Ky djali, që ishte pjesë e ekipit të misionit, e marrin dosjen dhe duan t’ia japin Vlora Hysenit, ajo nuk e pret fare këtë djalin. Djali meqë e kishte dosjen me vendim gjykate e të gjitha e merr dhe e dorëzon në SPAK. Pandeliu shkon e i kërkon Elisës, Vlorës dhe nuk i kërkon SPAK-ut që ta përgënjeshtrojë”, tha Berisha.
Berisha tha më tej se dosja e SPAK me numrin “26/1” përmban çështje në të cilat sipas tij janë të përfshirë kryeministri Edi Rama dhe deputeti socialist Taulant Balla. Sipas Berishës, kjo është një dosje, nuk po hetohet vetëm nga SPAK, por edhe nga agjenci dhe shërbime të huaja.