
Policia e Vlorës, ka ndaluar shtetasin Beqir Selamaj alias Beqir Murati, 28 vjeç, me precedentë penalë në fushën e narkotikëve dhe vjedhjes, i dyshuar si autor i një shpërthimi me eksploziv më 8 dhjetor 2024, në një lokal në lagjen “Uji i Ftohtë”.
Operacioni ‘DANGER’ u zhvillua në bashkëpunim me strukturat vendore dhe Prokurorinë.
Shpërthimi ka shkaktuar dëme të mëdha materiale në lokalin e e shtetases R. B., 73 vjeçe. Gjatë operacionit, u sekuestruan dy telefona celularë, një biçikletë dhe veshjet e përdorura nga autori gjatë ngjarjes, të cilat shërbejnë si prova materiale në procesin hetimor.
‘Bazuar në veprimet intensive hetimore dhe dokumentimin me prova ligjore, u bë i mundur ndalimi i shtetasit B. S. alias B. M, 28 vjeç, banues në lagjen “Isa Boletini” dhe me precedentë penalë në fushën e narkotikëve dhe vjedhjes së pasurisë.Nga hetimet rezulton se ky shtetas dyshohet të jetë autor i vendosjes së lëndës eksplozive më datë 08.12.2024, rreth orës 05:50, në një lokal, në lagjen “Uji i Ftohtë”, në pronësi të shtetases R. B., 73 vjeçe, ku si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.’, thotë policia.
Policia vijon hetimet për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për ndjekje të mëtejshme.
‘Gjatë operacionit, përmes veprimeve të koordinuara dhe mbështetura në prova shkencore, u sekuestruan në cilësinë e provave materiale dy telefona celular, një biçikletë dhe veshjet e përdorura gjatë ngjarjes.’, vijon më tej njoftimi i policisë.
28 vjeçari akuzohet për veprat penale: ‘Shkatërrimi i pronës me eksploziv’ dhe ‘Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake’.