
Gazetari Fatos Mahmutaj ka dhënë detaje të reja në lidhje me zbërthimin e aplikacionit “Matrix” nga skuadrat e Europol. Gjatë një prononcimi që ka dhënë në emisionin “Breaking”, gazetari Mahmutaj vuri theksin tek zhdukja e ‘bossit’ të lojrave të fatit, Ervis Martinaj. Sipas tij, nga të dhënat e deritanishme iu krijua bindja se ishte ekzekutuar. Kjo pasi ka dyshime se pikërisht në këtë aplikacion ka qarkulluar një video e “momentit”, por që më pas është zhdukur me shpejtësi.
“Në bindjen time personale, pasi jam informuar si të gjithë gazetarët e tjerë që në muajin gusht 2022 kur ai u zhduk, kam përshtypjen se ai është vrarë, është ekzekutuar, pra ka mbaruar punë. Por gjithsesi, atëherë u përfol që një video qarkulloi në këto aplikacionet e enkriptuara, pra në programet speciale. Megjithatë, kjo video nuk doli jashtë këtyre aplikacioneve dhe u zhduk shumë shpejt nga qarkullimi. Pati deklarata në studio televizive nga gazetarë dhe analistë në Shqipëri për këtë video, madje dikush pohoi që e kishte parë këtë video. Tani kemi një njeri që është zhdukur prej më shumë se dy vitesh, po bëhen afërisht 2 vite e gjysmë dhe nuk kemi asnjë shenjë të tij, asnjë ekzistencë apo vazhdimit të krimeve të pambyllura. Kështu që besoj se duhen parë të gjitha aplikacionet e përdorura nga bandat shqiptare, kudo ku ato kanë aktivitetin, edhe jashtë vendit, si ‘Matrix’, ‘Sky Ecc’, Encrochat’. Duhen parë me kujdes për të gjetur një provë, për t’i dhënë fund kësaj dileme,”– tha ai.
Por kush është Ervis Martinaj?
Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të vitit 2022. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Po ashtu ai ka qenë i përfshirë edhe në dosjen Metamorfoza, arrestimet e të cilës u kryen pas zhdukjes së tij. Edhe pse kanë kaluar afro dy vite nga zhdukja dhe ka kaluar çdo afat i dhënë nga kryeministri Edi Rama për kryepolicin Muhamet Rrumbullaku që ngjarja të zbardhet, deri tani policia nuk ka asnjë version të besueshëm dhe përfundimtar. /korrieri