
Gjykata e Posaçme ka liruar nga masa e sigurisë “arrest shtëpie” kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, në lidhje me hetimet për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Lajmin e ka bërë me dije avokati i Berishës, Genc Gjokutaj në një prononcim për mediat, pas përfundimit të seancës, i cili tha se tashmë ndaj liderit demokrat nuk ka asnjë masë sigurie.
Gjithashtu, ai bëri me dije se prokurori i çështjes ka kërkuar që të qëndronte në masën “arrest shtëpie”, por kërkesa e tij nuk është pranuar nga gjyqtarja.
“Mbi masën e kërkesës tonë, sot gjykata revokoi masën e arrestit të shtëpisë, një masë . Nga sot Sali Berisha është i lirë. Ndaj tij nuk ka asnjë masë tjetër sigurie. Gjykata përcaktoi se nuk ekzistojnë më kushtet që Berisha të qëndrojë në masa sigurie. Prokurori kërkoi që të lihej në fuqi masa “arrest shtëpie”. Kërkesa jonë është bërë pas vendimit të Kushtetueses. Vendimi i gjykatës është i zbatueshëm që sot, që sot ai është i lirë.”, tha avokati Genc Gjokutaj. /korrieri