
Në dosjen e SPAK zbulohet se si ish-besuari i Metës në Shkodër, Agron Çela zhvati 168 milion lekë nga CEZ-DIA pas bërë kokërr pune
Pavarësisht deklaratave mohuese para SPAK mbi shkakun e thirrjes atje, biznesmeni dhe ish-deputeti i LSI Agron Çela është një ndër përfituesit e skandalit CEZ-DIA, ku Kastriot Ismailaj është dënuar “për mashtrim”, ndërkohë që Ilir Meta, ish-shefi i Çelës në LSI, po hetohet për këtë dosje voluminoze. Madje, Metës iu vunë prangat edhe prej gjetjeve të SPAK në këtë skandal.
Korrieri ka konsultuar dosjen e SPAK në lidhje me skandalin CEZ-DIA dhe rezulton se deputeti socialist i Shkodrës Agron Çela, dikur një prej njerëzve më të besuar të ish- Presidentit Ilir Meta ka përfituar para nga DIA e Kastriot Ismaliajt në një kohë kur shoqëria ku ai ishte aksioner nuk ka dhënë asnjë shërbim.

“Në lidhje me shoqërinë BTT me ortak të vetëm shtetasin Shpëtim Shehu, e cila ka përfituar nga shoqëria DIA shumën prej 16.800.000 lekë hetimi ka provuar se kjo shumë ka pasur si përfitues fundor shoqërinë ‘Xhenis’ shpk, me ortak shtetasin Agron Çela i cili në vitin 2013 zgjidhet deputeti i Kuvendit të Republikës, si përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim”, thuhet ndër të tjera në dosje.
Prokuroria e Posaçme argumenton më tej se hetimi ka provuar që përfitimi i këtyre parave është bërë pa ofruar nga shoqëria “Xhenis” apo BTT as edhe një shërbim apo mall të vetëm te shoqëria DIA.
SPAK nuk sqaron nëse janë duke u zhvilluar hetime ndaj Agron Çelës po fakt është që deputeti që hyri në Kuvend nën siglën e LSI-së së Ilir Metës bëri shpejt divorc politik me këtë të fundit për motive që nuk u bënë kurrë publike. /Korrieri