
Është zbardhur dëshmia e Lul Rakajt, personi që plagosi me armë zjarri dy persona, mesditën e djeshme në Malësinë e Madhe. Rakaj, i cili u vu në pranga disa orë pas ngjarjes, në një operacion ku morën pjesë dhe forcat RENEA, tha se dy personat që la të plagosur, i kishin rrahur nipin disa ditë më parë. Sipas tij, ai kishte shkuar për t’u sqaruar, por ka dyshuar se njëri prej tyre ka pasur armë dhe i ka qëlluar.
“Pak ditë më parë dy personat që kam plagosur kanë goditur nipin tim duke e rrahur. Nuk e di se çfarë konflikti kanë pasur por di që më kanë goditur nipin i cili më tregoi për ngjarjen e ndodhur.
Unë shkova për të folur me ta dhe aty nisi debati. Dyshova se njëri prej tyre kishte armë zjarri ndaj duke menduar se mund të më vrisnin qëllova ndaj tyre”, ka deklaruar përpara grupit hetimor shtetasi Lul Rakaj, autori i plagosjes së dyfishtë në Malësinë e Madhe.
Ai u arrestua disa orë pas ngjarjes ndërsa ende nuk është gjetur arma e krimit.
Në gjendje të rendë vijon të jetë në spital i plagosuri Avenir Hasanaj, ndërkohë që Besmir Çofi është jashtë rrezikut për jetën. Pas plagosjes, Lul Rakaj u largua në zonën e Tamarës në Shkodër. Forcat RENEA e gjetën të fshehur në makinë bashkë me të shoqen. Edhe pse i bënë disa herë thirrje për t’u dorëzuar, Rakaj tentoi që të largohej, por nuk ia doli.
Rakaj rezulton person me precedent penal, pasi afro 15 vite më parë ka ekzekutuar me armë shtetasin Kolë Mushkun në Hot të Malësisë së Madhe. Ky i fundit i kishte vrarë babain të arrestuarit të djeshëm.