
Adidas nuk po shet më fanella me numrin “44” të ekipit kombëtar të Gjermanisë. Kjo pasi në rrjet po aludohet se numri dhe fonti i numrit është i ngjashëm me simbolin e përdorur nga njësitë naziste “SS”, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Schutzstaffel (SS), një organizatë paraushtarake e Rajhut të Tretë të Adolf Hitlerit, kishte për “detyrë” të kryente gjenocidin.
Shqetësimet për fanellat fillimisht u ngritën nga historiani Michael König, i cili tha se dizajni ishte “shumë i diskutueshëm”. Pas pretendimeve të tij, një zëdhënës i Adidas, Oliver Brüggen, mohoi se ngjashmëria ishte e qëllimshme.
SIMBOLI I SCHUTZSTAFFEL (SS)
“Ne si kompani jemi të përkushtuar të kundërshtojmë ksenofobinë, antisemitizmin, dhunën dhe urrejtjen në çdo formë. Do ta heqim nga tregu këtë bluze.”
E projektuar në vitin 1929, “SS” është bërë sinonim i disa prej krimeve më të rënda ndaj njerëzimit që janë kryer nga nazistët. Anëtarët e SS ishin përgjegjës për ruajtjen e kampeve të përqendrimit, marrjen në pyetje të “tradhtarëve” dhe drejtimin e kampeve të shfarosjes si psh. Aushvici, ku u vranë më shumë se një milion njerëz.
Kampionati Europian i Futbollit këtë vit do të zhvillohet në Gjermani, ku ndeshjet do të zhvillohen në 10 qytete të ndryshme. Gara do të nisë më 14 qershor, kur mikpritësit do të përballen me Skocinë.