
Është rënduar bilanci i të plagosurve nga shpërthimi i fuqishëm në ambientet e një kompanie ndërtimi në qytetin e Lushnjes.
Nga ajo që raportohet deri tani, një person ka mbetur i vdekur, i identifikuar si shtetasi Landi Veçani, ndërsa 8 të tjerë kanë mbetur të plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë.
Shpërthimi dyshohet se ka ndodhur në momentin që një vinç, gjatë punës për ndërtimin e një kapanoni, ka prekur telat e shtyllës së tensionit të lartë.
Mes të plagosurve është edhe deputeti i Partisë Socialiste Bujar Çela, i cili është pronar i biznesit ku ndodhi shpërthimi. Mësohet se Çela është transportuar në spital dhe ndodhet në sallën e operacionit ku po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale. Gjendja e tij shëndetësore raportohet se është e rëndë por e qëndrueshme.
Sakaq, katër punëtorët e tjerë të plagosur rëndë janë dërguar me urgjencë drejt spitalit të Traumës në Tiranë.
Në vendngjarje shkoi edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë.